REHABILITIMI I DIGËS SË REZERVUARIT PACOMIT!
Rezervuari Pacomit është ndërtuar në vitin 1985 me një kapacitet ujëmbledhës prej 100000 m3 ujë dhe projektuar për të vaditur 1000 ha tokë bujqësore.
Ky objekt është lënë në harresë ndër vite dhe sot ndihet domosdoshmëria e investimit për rehabilitimin e këtij rezervuari, me qëllim mbajtjen në funksion normal pune dhe njëkohësisht përmbushjen e kritereve të sigurisë teknike.
Mungesa e mirëmbajtjes, amortizimi i materialeve, erozioni, kanë bërë që në objekt të shfaqen dëmtime te cilat rrezikojne seriozisht qëndrueshmërinë e digës dhe rrezikun e shembjes së saj në raste
rreshjesh të dendura duke rrezikuar fshatin Pacomit që ndodhet poshtë rezervuarit.
Tashmë kjo problematikë do të marrë fund falë investimit në rehabilitimin e digës me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe financim të qeverisë.
Investimi ka nisur në muajin tetor dhe pritet të përfundojë brenda muajit prill 2024.
Rehabilitimi i digës me të gjitha elementët e ndërhyrjes si punime skarifikimi, gërmime dheu, punime betoni, aksesi rrugës për në digë, shkarkuesi katastrofik , rrisin sigurinë për banorët e fshatit Pacomit si dhe sasinë e nevojshme për ujitjen e kulturave bujqësore të fermerëve të zonës.