Drejtori Rajonal i Departamentit të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Europën dhe Azinë Qendrore pranë Bankës Botërore , Z.Steven Schonberger, realizoi ditën e djeshme një vizitë në Bashkinë Përmet. I shoqëruar nga Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë Z.Emuanuel Salinas, ai u takua dhe diskutoi me stafin drejtues të bashkisë për ecurinë e portofolit të financuar nga Grupi i Bankës Botërore si dhe për projektet që janë në zbatim dhe ndikimin e tyre në zhvillimin strategjik të bashkisë dhe komunitetit përmetar .
Kryetarja e bashkisë gjatë fjalës së saj i njohu gjithashtu me prioritetet për një zhvillim të qëndrueshëm të Bashkisë Përmet si dhe problemet më thelbësore që ndeshen në mirëfunksionimin e shërbimeve për komunitetin.
Në veçanti u diskutua tema më aktuale dhe me shumë rëndësi për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza , si dhe potencialet e burimeve natyrore dhe trashegimisë kulturore që mbart zona jonë.
Gjatë vizitës së tij, Z. Schonberger vizitoi punimet e investimit të financuara nga Banka Botërore , falë të cilit po rehabilitohet zona historike dhe infrastruktura rrugore e qytetit.
Vizita vazhdoi më tej përgjatë Luginës së Vjosës,në Ujërat Termal të Bënjës ku së shpejti nis investimi nëpërmjet Projektit për Integrimin Urban dhe Zhvillimin Turistik sipas të cilit do të bëhet një rikonceptim dhe mirëorganizim i zonës.
Ai çmoi arritjet e bëra në kuadër të programit të Grupit të Bankës Botërore dhe shprehu dëshirën dhe gatishmërinë për mundësi të tjera bashkëpunimi.