BASHKIA E PËRMETIT NË PARTNERITET ME PROGRAMIN ReLOaD SHPALL THIRRJEN E TRETË PUBLIKE PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE PËR DORËZIMIN E PROJEKT PROPOZIMEVE NË PROGRAMIN RAJONAL PËR DEMOKRACINË VENDORE NË BALLKANIN PERËNDIMOR (ReLOaD)
02.03.2020
Qëllimi i përgjithshëm i programit ReLOaD është që të fuqizojë demokracitë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur shoqërinë civile që të jetë pjesë e proceseve të vendimmarrjes si dhe duke stimuluar dhe krijuar një mjedis ligjor dhe financiar inkurajues për të. Disa nga rezultatet që projekti ReLOaD do të arrijë janë:
- Bashkitë do të përdorin modele transparente dhe të bazuara në projekte konkrete për financimin e OSHC-ve;
- OSHC-të do të ofrojnë shërbime të cilat adresojnë nevojat e qytetarëve në bashkitë partnere dhe janë në zbatim të planeve dhe strategjive lokale për zhvillim;
- Kapacitete të fuqizuara të OSHC-ve dhe njësive të pushtetit vendor për të zbatuar skemat e grantit dhe ofruar projekte cilësore;
- Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal, dialogut, ndarjes së praktikave ndërmjet njësive të pushtetit vendor dhe OSHC-ve në Ballkanin Perëndimor.
Bashkia Përmet është partnere e programit ReLOaD dhe në këtë kuadër në Bashkinë Përmet janë hapur dy thirrje publike për OSHC-të në 2018 dhe 2019 me një buxhet total prej 10,873,357 Lek, ku 23% të së cilit janë kontribut financiar i bashkisë.
2. SYNIMI I THIRRJES PUBLIKE PËR PROJEKT PROPOZIME DHE PRIORITETET VENDORE
Nëpërmjet kësaj Thirrjeje publike synohet forcimi i partneritetit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe njësive të pushtetit vendor. Në këtë kuadër, ftohen të gjitha OSHC-të e interesuara të dorëzojnë projekt-propozime, të cilat duhet të adresojnë prioritetet strategjike të Bashkisë Përmet, si më poshtë:
1.Grupet e marxhinalizuara- Mosha e tretë
1.1Ofrim shërbimesh
1.2 Përfshirje sociale
2.Pjesëmarrje aktive e të rinjve dhe fëmijëve në:
2.1 Aktivitete sociale-kulturore -artistike
2.2 Aktivitete për promovimin e territorit
3.Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit
3.1 Zhvillimi i aktiviteteve në funksion të promovimit të turizmit të zonës
3.2 Rritje e cilësisë së shërbimit turistik
Këto prioritete janë vendosur bazuar në konsultimet ndërmjet bashkisë dhe organizatave të shoqërisë civile në Bashkinë Përmet, në takimin e datës 18.02.2020.
3. FONDET (GRANTET) QË JANË NË DISPOZICION PËR PROJEKTE
Vlera e granteve që ndahen si pjesë e kësaj thirrjeje publike duhet të jenë me shumat si më poshtë:
- shuma minimale: 1.000.000 Lek
- shuma maksimale: 2.000.000 Lek
Grantet e alokuara në këtë thirrje publike mund të mbulojnë shpenzimet administrative dhe shpenzimet e personelit deri në masën 30% të shumës së kërkuar. Ndërsa, pjesa tjetër prej 70% të fondeve, duhet të parashikohen për aktivitete programore të projektit.
Ndërkohë, 50% e vlerës totale mund të parashikohet për blerje pajisjesh dhe/ose rikonstruksione/infrastrukturë, në rastet kur ato janë të domosdoshme për realizimin e qëllimit të projekt propozimit.
Për secilin projekt, 3-5% e vlerës totale të propozuar duhet të parashikohet për aktivitete që lidhen me dukshmërinë/vizibilitetin.
Totali i grantit në Bashkinë e Përmet për këtë Thirrje është: 3,000,000 Lek.
Bashkia ka të të drejtën për të mos ndarë të gjitha fondet në dispozicion nëse projekt-propozimet që dorëzohen nga OSHC nuk i përmbushin kriteret e kërkuara.
- KUSH MUND TË APLIKOJË
Pjesëmarrja në këtë thirrje publike është e hapur dhe e barabartë për OSHC-të (shoqatat ose fondacionet) që janë zyrtarisht të regjistruara dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi në Shqipëri.
OSHC-të do të përjashtohen nga pjesëmarrja në thirrje apo nga ndarja e granteve nëse në kohën e dorëzimit të projekt propozimeve:
- janë degë/zyra të organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare, dhe organizatat të tjera ndërkombëtare jo-fitimprurëse të regjistruara për të punuar në Shqipëri;
- janë subjekt i ndonjë konflikti të interesit, sikurse parashikuar në dispozitat e Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Më konkretisht, përjashtohen nga vlerësimi ato projekte, në të cilat: Drejtori ekzekutiv, anëtarët e bordit apo personat e planifikuar për tu përfshirë në projekt janë të punësuar në Bashkinë apo institucionet e saj të vartësisë në të cilën aplikohet, në pozicionet: Zyrtari i nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas legjislacionit të shërbimit civil[1] si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, anëtar i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.
- janë fajtorë për dhënien e informacionit të rremë një pale kontraktuese të autorizuar, që kërkohet si parakusht për pjesëmarrje në thirrjen për dorëzimin e projekt-propozimeve ose nëse nuk dorëzojnë informacionin e kërkuar;
- janë përpjekur të sigurojnë informacion konfidencial, të ushtrojnë ndikim mbi Komisionin e Vlerësimit ose mbi një palë të autorizuar kontraktuale gjatë procesit të vlerësimit të projekt-propozimit;
- nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme sipas pikës 9;
- vlera e buxhetit të propozuar nuk është në përputhje me kërkesat e thirrjes;
- kohëzgjatja e propozuar e projektit është më e shkurtër se 6 muaj ose më e gjatë se 12 muaj;
- organizata ka qënë parntere e ReLOaD në thirrjen e parë dhe/ose të dytë dhe ka përfituar një grant në total më shumë se 5.000.000 ALL në Bashkinë Përmet.
5 . KOHËZGJATJA
Kohëzgjatja e projekt – propozimit mund të jetë nga 6 deri në 12 muaj.
6. VENDI I ZBATIMIT
Projektet duhet të zbatohen ekskluzivisht në territorin e Bashkisë Përmet.
7. LLOJET E PROJEKTEVE
- Projekt-propozimet që do të financohen nga kjo thirrje duhet të jenë të përgatitura në përputhje me thirrjen publike dhe prioritetet e Bashkisë Përmet.
- Projektet duhet të ofrojnë zgjidhje për nevojat specifike të komunitetit lokal dhe grupeve të targetuara të identifikuara nga projekti.
- Projektet duhet të jenë paketa veprimtarish të integruara dhe metodologjike, të krijuara për të arritur qëllime të caktuara dhe rezultate specifike në kuadër të një periudhe të kufizuar kohore.
Aktivitetet në vijim nuk rekomandohen për ndarjen e granteve:
- Aktivitetet e rregullta të organizatës aplikuese apo organizatës partnere;
- Sponsorizimet individuale për pjesëmarrje në seminare, konferenca, kongrese;
- Bursat individuale për studime apo kurse trajnimi;
- Konferenca të herëpashershme (përveç nëse janë të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të projektit);
- Financimi i projekteve që tanimë janë në proces ose kanë përfunduar;
- Projektet për përfitime ekskluzive të individëve;
- Projektet që mbështesin partitë politike;
- Ndarjen e granteve për palë të treta;
- Blerja e pajisjeve dhe punët rehabilituese/ndërhyrjet në infrastrukturë përveç rasteve kur janë patjetër të domosdoshme dhe brënda limiteve të shprehura në pikën 3 të Udhëzuesit.
Aktivitet e sipërpërmendura NUK janë shkak për refuzimin automatik të projekt – propozimit, megjithatë do të ndikojnë negativisht në vlerësimin e projekt propozimit. Gjithashtu, nëse projekt – propozimi aprovohet për financim, aktivitete të tilla dhe fondet e parashikuara për to do të eliminohen.
8.PARTNERITETET DHE BASHKËPUNIMI
OSHC-të e interesuara mund të aplikojnë në mënyrë individuale ose në partneritet me organizata dhe/ose institucione të tjera.
Organizatat partnere
Partnerë të projektit mund të jenë organizata të tjera të shoqërisë civile. Partnerët e OShC-së kandidate marrin pjesë në planifikimin dhe zbatimin e projektit, dhe shpenzimet u nënshtrohen rregullave të njëjta si ato të bëra nga vetë OShC-ja kandidate. Në këtë mënyrë, organizata partnere duhet të përmbushë kushtet e njëjta të legjitimitetit sikurse edhe organizata aplikuese. Nëse aplikojnë në partneritet, organizata aplikuese do të jetë organizata udhëheqëse, dhe në rast të përzgjedhjes, kjo organizatë do të jetë pala kontraktuese (përfituese) dhe do t’i marrë të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe financiare për zbatimin e projektit. Deklarata e Partneritetit (Shtojca A)duhet të plotësohet në mënyrë korrekte dhe duhet të dorëzohet së bashku me dokumentet e tjera të aplikimit.
Në rast kur aplikimi është në partneritet ndërmjet disa organizatave, të paktën njëra prej tyre duhet të jetë e regjistruar në Bashkinë në të cilën po aplikon.
Bashkëpunëtorët: organizata dhe institucione te tjera
Organizatat dhe/apo institucionet tjera (p.sh. shkollat, kopshtet e fëmijëve, muzetë, etj) mund të përfshihen në projekt. Organizatat e tilla – bashkëpunëtorët kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e aktiviteteve, mirëpo nuk mund të marrin grante.
9.DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR TË APLIKUAR
Dokumentet kryesore:
- Projekt propozimi (në formatin Word – Shtojca 7)
- Buxheti (formati Excel – Shtojca 8)
- Matrica e kornizës logjike (formati Word – Shtojca 9)
- Plani i aktiviteteve dhe dukshmërisë (formati Word – Shtojca 10)
Dokumente shtesë (për organizatën aplikuese dhe partnerët, nëse ka)
- Vendimi i regjistrimit të organizatës në Gjykatë dhe ndryshime të tij nëse ka patur.
- Kopja e statutit të organizatës (për organizatën aplikuese dhe partnerët, nëse ka),
- Formulari i kompletuar identifikues administrativ dhe financiar (formati Word– Shtojca 11),
- Deklarata e plotësimit të kritereve e plotësuar dhe e nënshkruar (formati Word – Shtojca 12),
- Kopje e Pasqyrave financiare të OSHC-së (a. bilanci; b. PASH; cash flow; ç. shënimet shpjeguese) për vitin 2018 tëfirmosur nga një kontabilist i miratuar ose financieri zyrtar i OSHC-së sipas kritereve ligjore në fuqi. Në rastin që organizata është themeluar gjatë këtij viti nuk është e nevojshme të dorëzohen pasqyrat.
- Një raport përshkrues i projekteve dhe aktiviteteve të OSHC për vitin paraardhës, përveç rasteve nëse organizata është themeluar gjatë këtij
- Deklarata e partneritetit në rast se OSHC aplikuese ka partnerë (shtojca A).
- Deklarata e shmangies së konfliktit të interesit (shtojca B).
Shënim: Me qëllim vlerësimin e projekt – propozimit, dokumentacioni kryesor dhe ai shtesë janë njësoj të vlefshme dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të sipër përmendura në 3 kopje është i detyrueshëm.
10. KUR DHE KU TË MERRET DHE TË DORËZOHET PAKETA E APLIKIMIT
Dokumentacioni për thirrjen publike për Bashkinë e Përmetit mund të tërhiqet prej datës 02.03.2020 deri në 13.04.2020 duke e dërguar një kërkesë me emrin e organizatës së interesuar në e-mail adresën: info@bashkiapermet.gov.al apo personalisht, në adresën:
Bashkia Përmet, Sheshi Abdyl Frashëri,6401, Përmet- Shqipëri
Informacioni përkatës si dhe një version elektronik i të gjithë paketës së aplikimit mund të merret edhe nga faqja e internetit: www.bashkiapermet.gov.al
Aplikimet e plotësuara me të gjithë dokumentacionin, duhet të dorëzohen në tri (3) kopje të shtypura dhe në një kopje elektronike (në CD apo USB) përmes postës zyrtare apo personalisht, të vendosura në një zarf të vulosur që i referohet thirrjes publike, gjatë ditëve të punës (prej të hënës deri të premten), nga ora 09:00 deri në ora 15:00, në adresën:
Bashkia Përmet, Sheshi Abdyl Frashëri,6401, Përmet- Shqipëri
Afati për dorëzimin e aplikimeve është më 13.04.2020 në ora 15:00 (6 javë nga data e hapjes së Thirrjes Publike). Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të jenë shkruar emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e aplikantit, emri i plotë i projektit dhe fjalët: ”Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa tjera nuk do të merren parasysh.
Bashkia do të regjistrojë çdo aplikim të marrë në dorëzim dhe do të lëshojë vërtetimin përkatës (datën dhe orën e pranimit të projekt-propozimit).
11. INFORMACION TJETËR
- Bashkia Përmet do të organizojë një takim informues/ditë të hapur mbi Thirrjen e tretë publike, ku ftohen të marin pjesë të gjitha organizatat e interesuara për të aplikuar në përgjigje të kësaj Thirrjeje. Ky takimi ka si qëllim, informimin e OSHC-ve mbi elementët kryesorë të Thirrjes, duke u fokusuar tek elementët më të rëndësishëm për OSHC-të. Për Bashkinë Përmet takimi informues do të organizohet në 25 Mars 2020. Më shumë detaje për këtë aktiviteti do të jepen së shpejti nga Bashkita përkatëse nëpërmjet website.
- Pyetje rreth ftesës publike mund të behën përmes e-mail adresës info@bashkiapermet.gov.al ,duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 06.04.2020, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse. Për qëllime transparence, përgjigjet mund t’u dërgohen gjithashtu të gjithë aplikantëve të mundshëm me email.
Njoftimi rreth vendimit
Në çdo rast, nëse projekt-propozimet miratohen për financim apo jo, të gjithë aplikantëve u njoftohet me shkrim vendimi për projekt-propozimin e tyre brenda 15 ditë pune nga mbyllja e thirrjes publike. Rezultatet shpallen në faqen e internetit të Bashkisë Përmet (www.bashkiapermet.gov.al) si dhe në tabelën e njoftimeve të bashkisë.
Kushtet rreth zbatimit të projektit pas miratimit të grantit
Pas marrjes së vendimit për miratimin e grantit, organizatës joqeveritare, projekti i së cilës është miratuar, i ofrohet një kontratë për zbatimin e projektit. Para se të nënshkruajë kontratën dhe nëse është e nevojshme, organizatës mund t’i kërkohen modifikime të caktuara në projekt për ta harmonizuar atë me rregullat dhe procedurat e zbatimit të projektit.
LISTA E SHTOJCAVE
Shtojca 6 Udhëzues
Shtojca 7 Projekt propozimi
Shtojca 8 Buxheti
Shtojca 9 Korniza Logjike
Shtojca 10 Plani i Aktiviteteve dhe dukshmërisë
Shtojca 11 Formulari i identifikimit administrativ dhe financiar
Shtojca 12 Deklarata për plotësimin e kritereve
Shtojca A Deklarata e partneritetit
Shtojca B Deklarata për shmangien e konfliktit të interesit
[1] Neni 31 i Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.