Sot, 23.06.2025, në ambientet e Bashkisë së Përmetit, në zyrën e Kryetares, u zhvillua ceremonia zyrtare e dorëzimit të certifikatës së anëtarësimit të Bashkisë Përmet në Shoqatën ATRIUM – një nga Rrugët Kulturore të certifikuara nga Këshilli i Evropës.

Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për qytetin e Përmetit, i cili tashmë është pjesë e një rrjeti prestigjioz ndërkombëtar që promovon trashëgiminë kulturore të shekullit të 20-të, me fokus në arkitekturën dhe historinë e regjimeve totalitare në Evropë.

Shoqata ATRIUM (Architecture of Totalitarian Regimes in Europe’s Urban Memory), e certifikuar si Rrugë Kulturore Evropiane në vitin 2014, mbështet vlerat thelbësore të Këshillit të Evropës si të drejtat e njeriut, demokracia dhe dialogu ndërkulturor. Anëtarësimi i Bashkisë Përmet në këtë shoqatë vjen si rezultat i përkushtimit të saj në ruajtjen, promovimin dhe interpretimin kritik të trashëgimisë së saj historike dhe kulturore.

Përmes këtij anëtarësimi, Bashkia Përmet përfiton qasje më të gjerë në projektet evropiane të financuara, shkëmbime me partnerë ndërkombëtarë, mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe nxitjen e bashkëpunimit akademik dhe kulturor.

Gjatë ceremonisë, Kryetarja e Bashkisë u shpreh se “ky është një hap strategjik për pozicionimin e Përmetit në hartën e kulturës evropiane dhe një mundësi për të promovuar historinë tonë me përgjegjësi dhe vizion”.

Në kuadër të detyrimeve të anëtarësimit, Bashkia Përmet angazhohet të mbështesë objektivat e Shoqatës ATRIUM, të zhvillojë rrugën e saj kulturore lokale, si dhe të kontribuojë aktivisht në veprimtaritë e rrjetit.

Ceremonia u mbyll me dorëzimin zyrtar të certifikatës nga përfaqësues të rrjetit, duke kurorëzuar kështu bashkëpunimin e ri mes Përmetit dhe një prej iniciativave më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore evropiane.