Promovimi i zhvillimit të mëtejshëm të demokracive pjesëmarrëse është një pjesë integrale e axhendës së integrimit në BE për vendet e Ballkanit. Të gjithë këto vende përballen me sfida lidhur me bashkëpunimin ndërmjet pushtetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC). Një sfidë tjetër është mungesa e transparencës lidhur me mbështetjen financiare për OSHC-të, e cila perceptohet si një nga pengesat kryesore për zhvillimin dhe funksionimin e një shoqërie civile të besueshme.
Duke konsideruar këto problematika Programi Programin Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) ka për qëllim të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit në BE në vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile duke mundësuar pjesëmarrjen e saj aktive në vendimmarrje si dhe nxitjen dhe krijimin e një mjedisi ligjor dhe financiar inkurajues për shoqërinë civile.
Programi financohet nga Bashkimi Europian dhe menaxhohet nga UNDP. Bashkia Përmet ishte një ndër 12 bashkitë fituese. Skema e grantit e ofruar nga programi,shërbeu për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, të cilat ofruan shërbime në përputhje me prioritetet e bashkisë Përmet.
Gjatë kohëzgjatjes së projektit Bashkia në bashkëpunim me UNDP shpalli katër thirrje publike, nga të cilat dy të parat u financuan nga shuma e alokuar e grantit (fondet e UNDP dhe bashkëfinancimi i bashkisë) dhe thirrjet e fundit u financuan nga fondet e vetë Bashkisë.
Disa nga rezultatet që projekti ReLOaD arriti janë:
- Përdorimi i modeleve transparente për financimin e OSHC-ve.
- OSHC-të ofruan shërbime të cilat adresuan nevojat e komunitetit dhe ishin në zbatim të planeve dhe strategjive lokale për zhvillim;
- Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal, dialogut, ndarjes së praktikave ndërmjet njësive të pushtetit vendor dhe OSHC-ve.