Të nderuar qytetarë të Bashkisë Përmet!
Trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve ka qënë dhe mbetet një nga shqetësimet më të mëdha jo vetëm për komunitetin tonë, por për gjithë vendin.
Ndodhemi përballë një katastrofe mjedisore të një shoqërie konsumatore gjithmonë në rritje dhe që sot, Ne kemi detyrimin për t’i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme duke konsideruar edhe brezat e ardhshëm , që nuk do të na e falnin kurrë mënyrën si e kemi trajtuar mjedisin dhe trajtimin e mbetjeve këto tre dekada.
Për sa më sipër, qeveria ka përfshirë si një pikë kyçe të programit 4-vjeçar edhe zgjidhjen përfundimtare për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve.
Problemet e trashëguara nga ish komunat, nga vetë bashkia si dhe mos pasja e kushteve minimale mjedisore në venddepozitimet aktuale ,të cilat janë edhe të pa liçensuara nga institucionet përgjegjëse ka sjellë ndikime jo vetëm në zonën përreth, por në tërësi për imazhin turistik të qytetin tonë.
Kërkesës së bashkisë Përmet të bërë që prej vitit 2019 për mbështetje financiare , si dhe nisur nga detyrimet që rrjedhin nga aktet ligjore dhe nenligjore në fushën e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve, qeveria i është përgjigjur duke investuar për rritjen e standarteve mjedisore në venddepozitimet e përkohshme, e theksojme “të perkohshme” të Përmetit si dhe të disa bashkive të tjera.
Qëllimi i këtij investimi konsiston në minimizimin e ndotjes së mjedisit në venddepozitimin e përkohshëm të Përmetit, duke bërë të mundur rritjen e disa standarteve me kushte sanitare që të mos ketë ndikim në burimet ujore,në tokë si dhe në anën vizuale.
Themi të përkohshëm pasi me përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, Përmeti dhe gjithë qarku Gjirokastër do t’i depozitojnë mbetjet në Landfillin e Bajkajt në bashkinë e Delvinës ndërsa venddepozitimet aktuale do të mbyllen përfundimisht.
Gjithashtu brenda vitit 2023, Përmeti dhe qarku i Gjirokastrës do të përfitojnë nga investimi i Delegacionit Europian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për rehabilitimin e gjithë infrastrukturës për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve.
Duke marrë parasysh çdo shqetësim Tuajin, theksojmë se nuk do të ndërtohet ASNJË landfill në territorin e bashkisë Përmet, por kemi të bëjmë vetëm me rehabilitim të venddepozitimeve të përkohshme për një mjedis më të pastër.
Më poshtë mund të shikoni pamjet se si do të jetë ky venddepozitim i përkohshëm.