Ambasada Zviceriane është një partner i rëndësishëm dhe një mbështetje e madhe e disa programeve të ndryshme të zbatuara në Bashkinë Përmet.
Ditën e sotme, 02.12.2021, zv. Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri z. Patrik Meier realizoi një vizitë në Bashkinë Përmet , ku u prit nga kryetarja e bashkisë së bashku me stafit drejtues të Njësisë së Integrimit Evropian, Drejtorisë së Financës dhe Urbanistikës.
Gjatë takimit u diskutua gjërësisht për projektet zvicerane që janë në zbatim dhe ndikimin e tyre në zhvillimin strategjik të bashkisë dhe komunitetit përmetar . Vlen të përmendet ndihma e vazhdueshme ndër vite që Zvicra ka ofruar për pushtetin vendor në Përmet dhe konkretisht nëpërmjet programeve LNB, RISI , Financa Lokale, Bashki të Forta, etj.
Zv.Ambasadori u njoh gjithashtu me prioritetet për një zhvillim të qëndrueshëm të Bashkisë Përmet si dhe problemet më thelbësore që ndeshen në mirëfunksionimin e shërbimeve për komunitetin duke sjellë dhe qasje respektive nga të dy vendet, përvoja e praktika që mund të aplikohen dhe në vendin tonë e konkretisht në bashkinë Përmet.
Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe nënshkrimi para pak javësh i marrëveshjes për një tjetër projekt me Ambasadën Zvicerane, “Bashki me Energji Inteligjente” në fushën e efiçencës së energjisë. Ky projekt do të ketë një impakt të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të ndriçimit publik duke promovuar përdorimin e teknologjive energjitike inovatore dhe miqësore me mjedisin.
Pas takimit u realizua një vizitë në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak , mbledhjet e të cilit mund të ndiqen online nga çdo qytetar falë paisjeve të mundësuara nga projekti i financuar nga qeveria zviceriane “Bashki të Forta”.
Zv.Ambasadori u tregua i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij dhe nga të dyja palët u shpreh dëshira për mundësi të tjera bashkëpunimi në fusha të ndryshme.