Trashëgimia kulturore është kujtesa e një vendi, identiteti që na lidh me rrënjët dhe një pasuri që merr kuptim kur përcillet nga brezi në brez.
Në kuadër të Ditës së Trashëgimisë Kulturore, të rinj të Këshillit Rinor dhe fëmijë të QKF Përmet u bënë pjesë e disa trajnimeve me artizane përmetare, duke pasur mundësinë të shohin nga afër punën e tyre, të mësojnë teknikat tradicionale dhe të kuptojnë rëndësinë që mbart çdo fije e qëndisur, çdo motiv dhe çdo punim i krijuar me duar.
Përmes këtij aktiviteti, ata u njohën më nga afër me pasurinë e jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale të zonës së Përmetit, duke zbuluar se pas çdo objekti tradicional fshihet një histori, një kujtesë dhe një pjesë e identitetit tonë.
Punimet e realizuara gjatë këtyre aktiviteteve janë duke u përgatitur për t’u vendosur në platformat e përshtatshme për ekspozim dhe për t’iu bashkuar objekteve të tjera me vlerë, traditë dhe histori që Muzeu Vendor Përmet ruan dhe përcjell.
Sepse ruajtja e trashëgimisë nis me njohjen e saj dhe vazhdon përmes brezave.