Në kuadër të projektit ARCHETHICS, është realizuar krijimi i një arkive digjitale që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit të Përmetit. Kjo arkivë u krijua përmes procesit të digitalizimit të dokumenteve historike, duke skanuar materiale me rëndësi që ndodheshin në Sallën e Kongresit të Përmetit. Mes tyre përfshihen: bibliografi e dëshmorëve të zonës, historiku i fshatrave përreth, fotografi të vjetra, dokumente arkivore dhe numrat e gazetës lokale “24 Maji”, e cila ka pasqyruar ngjarje të rëndësishme historike dhe sociale ndër vite.

Qëllimi i arkivës është të shërbejë si një mjet edukimi dhe informimi, duke bërë të aksesueshme materiale të rralla për publikun dhe brezat e rinj. Për të testuar vlerën dhe funksionalitetin e saj në praktikë, kjo arkivë u përdor gjatë orëve të historisë në shkollën 9-vjeçare “Nonda Bulka” në Përmet. Përdorimi i saj u bë nga znj. Rudina Ballabani, mësuese e historisë, e cila e integroi arkivën në zhvillimin e orëve mësimore, duke i mundësuar nxënësve të eksplorojnë vetë dokumente autentike dhe të mësojnë drejtpërdrejt nga burime historike të dixhitalizuara.

Eksperienca rezultoi shumë pozitive. Si mësuesja ashtu edhe nxënësit vlerësuan faktin që arkiva ofron një mënyrë më të gjallë, tërheqëse dhe konkrete për të mësuar historinë lokale. Kjo nismë tregoi potencialin e përdorimit të teknologjisë për të sjellë më afër të rinjtë me trashëgiminë kulturore dhe për të nxitur një ndjenjë më të thellë të identitetit dhe kujtesës kolektive.

Krijimi dhe përdorimi i kësaj arkive përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen e historisë lokale dhe në inovacionin e metodave mësimore, duke hapur rrugën për projekte të ngjashme edhe në komunitete të tjera.