Gjithmonë dhe më tepër, rrethi i Përmetit po kthehet në një nyje turistike ku gjen çdo gjë që natyra mund të fal.
Parku Kombëtar Bredhi Hotovës është një ndër parqet natyrore më të vizituara që ofron surpriza në çdo stinë të vitit.
Për të promovuar akoma më tepër këtë park dhe nxitjen e turizmit në këtë zonë, në godinën e Parkut Kombëtar Bredhi Hotovës-Dangëlli, u organizua eventi në kuadër të nismës “Natur Albania” nga Agjencia Italiane e Bashkepunimit për Zhvillim (AICS) në bashkëpunim me AKZM dhe organizatat CESVI, VIS dhe CELIM.
Të operohet në zonat e mbrojtura jo vetëm duke ruajtur biodiversitetin por dhe rritjen e kapaciteteve menaxhuese të organeve kompetente, përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe përdorimi me përgjegjshmëri i burimeve natyrore nga komuniteti lokal ishte dhe qëllimi i eventit.
Gjatë eventit u përurua edhe Qendra e Informacionit Turistik të Parkut Kombëtar Bredhi Hotovës -Dangëlli si pjesë e projektit ACAP. Kjo qendër do të shërbejë si një pikë referimi për turistët duke u njohur me vlerat, produktet tipike të zonës dhe mundësitë natyrore.
Çdo nismë turistike për potencialet e Përmetit tonë është gjithmonë e mirëpritur.