17.09.2020
Në takimin e radhës, ekipi i “Bashkitë për në Evropë” është ndalur në Bashkinë e Përmetit, ku e pranishme ka qenë kryetarja Bashkisë, Znj. Alma Hoxha, anëtarë të Këshillit Bashkiak, shoqërisë civile si dhe pjesëtarë të stafit të këtij institucioni.
Takimi është moderuar nga drejtuesja e Njësisë së Integrimit Znj. Denisa Mamillo dhe Menaxherja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka.
Nga delegacioni i BE-së në Shqipëri ka përshëndetur Z. Frederic Misrahi, Menaxher Programi për Sektorin e Kulturës.
Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi progresin e arritur nga Pushteti Vendor në zbatimin detyrimeve të anëtarësimit në BE, me fokus fushën e kulturës dhe arsimit. Në fjalën e saj, Znj. Hoxha është shprehur se “plotësimi i matricës së vlerësimit të performancës nuk është vetëm përgjegjësi e Njësisë së Integrimit por e gjithë stafit të Bashkisë. Të gjitha drejtoritë dhe sektorët duhet të ofrojnë informacion në kohë dhe me përgjegjësi, pasi raporti i vlerësimit të performancës i shërben edhe Bashkisë për të parë ku ndodhet vetë ose edhe në krahasim me Bashkitë e tjera në plotesimin e kritereve në procesin e integrimit evropian.
Qëllimi është të përmirësohemi në ato tregues ku nuk jemi mirë duke i integruar në planet afatshkurtra dhe afatgjata të zhvillimit të Bashkisë dhe si prioritete në aplikimet për fondet e Bashkimit Evropian. Të gjithë së bashku, stafi i Bashkisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, shoqëria civile, komuniteti kemi një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”.
Nga ana e tij, Z. Misrahi theksoi se bashkitë kanë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian pasi një pjesë e madhe e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivelin lokal, dhe BE do të jetë një mbështetëse e pakursyer e bashkive në këtë rrugëtim.
Z. Bekim Murati, Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, u shpreh se Agjensia ka punuar dhe do vazhdojë të punojë për të mbështetur Bashkitë në këtë proces.
Më tej, ekspertja Mirsa Titka bëri prezantimin e rekomandimeve të Raportit të Vlerësimit të Performancës për fushën e kulturës dhe arsimit, kurse Znj. Iva Çoku prezantoi mundësitë e ofruara nga financimet e Bashkimit Evropian në Shqipëri.