Sot pata kënaqësinë të pres në zyrë Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri z. Silvio Gonzato. Ishte një takim i frytshëm, ku folëm për rrugët e bashkëpunimit që na kanë bashkuar deri tani dhe për projektet e reja që do të sjellin zhvillim të qëndrueshëm për Bashkinë tonë
.
Bashkë me Ambasadorin ndamë bindjen se investimet e Bashkimit Europian kanë pasur ndikim të dukshëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në mjedis, turizëm, bujqësi, shërbime publike e veçanërisht tek të rinjtë.
Përmeti është sot një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm me partnerët europianë, me mbi 20 projekte të zbatuara falë mbështetjes së BE-së 
Ambasadori vlerësoi përkushtimin e Bashkisë Përmet për zbatimin e projekteve me standarde europiane dhe për rolin e saj si model i mirë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Në fokusin tonë të përbashkët mbeten prioritetet e së ardhmes: një qytet më i pastër e më i gjelbër, mbështetje për sipërmarrjen vendore, digjitalizim i shërbimeve dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë.
Pas takimit zhvilluam edhe një konferencë për shtyp me median lokale, ku ndamë rezultatet konkrete të bashkëpunimit tonë dhe drejtimet ku do të ecim më tej.
Ky partneritet është një garanci për një Përmet më të zhvilluar, më të qëndrueshëm dhe më afër Europës 





