Sot, më 20 Nëntor 2024, u zhvillua një konsultim publik për Buxhetin dhe Paketën Fiskale 2025, i organizuar nga Kryetarja e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha, Kryetarja e Këshillit të Bashkisë, znj. Anila Dhimitri, dhe Drejtori i AKZM Gjirokastër z. Vasil Xha. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të grupeve të interesit dhe operatorët turistikë, të cilët janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve të rafting-ut në lumin Vjosa.
Kryetarja Alma Hoxha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes grupeve të interesit dhe institucioneve për të formuluar një buxhet dhe paketë fiskale që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe përmirësimin e kushteve për operatorët. Ajo theksoi se fokusi do të jetë krijimi i mundësive për rritjen e sigurisë dhe standardeve të turizmit, në mënyrë që të tërheqen më shumë vizitorë dhe të sigurohet një impakt pozitiv në ekonominë lokale.
Pjesëmarrësit diskutuan çështje të rëndësishme, përfshirë certifikimin dhe arritjen e standardeve të sigurisë për operatorët turistikë, të cilët zhvillojnë aktivitete në lumin Vjosa. Ata theksuan rëndësinë e përmirësimit të kushteve për të siguruar një përvojë të sigurt dhe të kënaqshme për turistët, duke u përpjekur të respektojnë gjithashtu rregullat dhe standardet ndërkombëtare.
Ky takim është një hap i rëndësishëm në procesin e konsultimit publik, duke siguruar që çdo grup interesit të ketë mundësinë të kontribuojë në planifikimin e buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2025.