Në datat 5–6 nëntor 2025, në kuadër të projektit RIWET të programit Interreg Europe, Bashkia Përmet organizoi Workshopin e Shkëmbimit të Eksperiencave, me qëllim prezantimin e praktikave të mira për partnerët e projektit.
Në aktivitet morën pjesë rreth 30 përfaqësues nga 9 shtete evropiane Hollanda, Polonia, Italia, Spanja, Greqia, Irlanda, Sllovenia, Finlanda dhe Letonia të cilët u njohën nga afër me praktikat dhe iniciativat që po zbatohen në territorin e Bashkisë Përmet dhe përgjatë lumit Vjosë.
Gjatë ditës së parë, drejtoresha e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, Zj.Eduina Guga, prezantoi planin e menaxhimit të parkut dhe punën e kryer nga zyra e sapo krijuar.
Më pas, partnerët vizituan Vjosa Research Center të EcoAlbania, ku Z. Olsi Nika prezantoi edhe projektin REForest Vjosa një nismë e nisur në vitin 2024 nga EcoAlbania dhe Riverwatch, me mbështetjen e Patagonia.
Ky projekt synon rivendosjen e pemëve autoktone përgjatë brigjeve të lumit Vjosë, për të parandaluar erozionin dhe për të forcuar biodiversitetin, me objektivin për të rehabilituar 12 hektarë deri në vitin 2026.
Një tjetër praktikë frymëzuese që partnerët patën mundësi të njihnin ishte HydroVjosa, stacioni hidrometrik që mat nivelin e ujit dhe ofron të dhëna të hapura për publikun, duke mundësuar monitorimin e lumit dhe përdorimin e të dhënave nga grupe të ndryshme. Kjo praktikë u prezantua nga Prof. Guido Zolezzi i Universitetit të Trento, Itali.
Workshopi u mbyll me vizitën në Inkubatorin e Produkteve Tipike Lokale, një nismë e ProPermet që mbështet fermerët dhe nxit zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve përreth Vjosës.
💬 Këto praktika u vlerësuan shumë pozitivisht nga pjesëmarrësit, të cilët u shprehën se ishin shumë frymëzuese dhe të vlefshme për t’u replikuar në vendet e tyre.
🤝 Këto iniciativa tregojnë fuqinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave dhe komunitetit për mbrojtjen afatgjatë të lumit Vjosë dhe ekosistemeve të tij unike.