Patëm kënaqësinë të mirëpresim në Përmet Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, Ambasadorin e Bashkimit Europian, z. Silvio Gonzato, Drejtorin e Bashkëpunimit për Zhvillim, z. Iven Schad, dhe znj. Christine König nga Komisioni Europian, për të inauguruar së bashku Qendrën e Rikuperimit të Materialeve të Riciklueshme një investim i Bashkimit Europian
dhe Qeverisë Gjermane
, në kuadër të programit EU4CELC, Ekonomia Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme, zbatuar nga GIZ Albania.
Në fjalën time theksova se kjo qendër nuk është thjesht një investim për menaxhimin e mbetjeve, por një hap i madh drejt një kulture të re mjedisore për Përmetin.
Kur puna bëhet me vizion, me partnerë të mirë dhe me përkushtim ndaj njerëzve, rezultatet janë të prekshme.
Ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, nënvizoi se ky është modeli i duhur i bashkëpunimit midis qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe pushtetit vendor, që sjell rezultate konkrete për qytetarët.
Ndërsa Ambasadori i BE-së, z. Silvio Gonzato, vlerësoi Përmetin si shembull të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, duke theksuar se kjo qendër do të mbajë mbetjet larg lumenjve dhe landfilleve, do të krijojë mundësi ekonomike dhe do të mbështesë rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Kjo qendër do të ndihmojë Bashkinë Përmet të ndajë, presojë dhe riciklojë materiale si plastika, letra dhe alumini duke i mbajtur larg natyrës dhe duke gjeneruar të ardhura që përforcojnë shërbimet mjedisore.
Një hap i rëndësishëm për një Përmet më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm 






